Çfarë është PISA dhe si të përgatitesh: udhëzues për nxënësit

PISA mat si e përdor atë që di në situata nga jeta reale. Ja si funksionon testi, çfarë aftësish mat, një shembull pyetjeje dhe një plan i thjeshtë praktike.

PISA është testi ndërkombëtar që krahason sa mirë nxënësit 15-vjeçarë e përdorin atë që dinë në situata nga jeta reale. Testi nuk jep notë. Aftësitë që mat janë po ato që të ndihmojnë në testin e arritshmërisë, në maturë dhe më tej.

Çfarë është PISA?

PISA (Programme for International Student Assessment) organizohet nga OECD çdo disa vite. Merr pjesë një mostër përfaqësuese nxënësish rreth moshës 15 vjeç (15 vjet e 3 muaj deri 16 vjet e 2 muaj). Kosova merr pjesë që nga viti 2015.

  • Lexim: të gjesh informacion, të kuptosh, të krahasosh burime dhe të vlerësosh nëse një tekst është i besueshëm.
  • Matematikë: ta kthesh një situatë reale në llogaritje, me përqindje, raporte, njësi, grafikë dhe probabilitet.
  • Shkencë: të shpjegosh dukuri, të lexosh eksperimente dhe të vlerësosh nëse të dhënat e mbështesin një përfundim.
  • Në PISA 2025 u shtua edhe zgjidhja kompjuterike e problemeve: ta ndash një problem në hapa dhe ta zgjidhësh me ndihmën e kompjuterit.

Si zhvillohet testi?

  • Testi bëhet në kompjuter dhe zgjat rreth 2 orë.
  • Jo të gjithë nxënësit marrin të njëjtat pyetje: secili merr vetëm një pjesë të bankës së pyetjeve.
  • Ka pyetje me alternativa dhe pyetje ku duhet ta shkruash vetë përgjigjen.
  • Pas testit plotësohet një pyetësor për shkollën, familjen dhe mënyrën e të mësuarit.
  • Rezultati nuk jepet për nxënësin, por për vendin. Prandaj përpjekja e çdo nxënësi ka rëndësi.

Si duket një pyetje në stilin PISA?

Një abonim mujor për autobus kushton 15 €. Një biletë e vetme kushton 0,60 €. Arta udhëton me autobus 2 herë në ditë, 22 ditë në muaj. Cila zgjidhje është më e lirë për të dhe sa kursen?

Metoda KUPTO: pesë hapa para çdo pyetjeje

  • K – Kërkesa: çfarë po më kërkohet saktësisht?
  • U – Udhëzuesit: cilat të dhëna, njësi ose prova janë kyçe?
  • P – Plani: cila strategji i lidh ato?
  • T – Testo: llogarit, krahaso ose argumento.
  • O – Okej?: a ka kuptim përgjigjja? Kontrollo njësitë.

Gabimet që humbin më shumë pikë

  • Lexon pyetjen me nxitim dhe i përgjigjesh diçkaje tjetër.
  • Harron njësitë (cm dhe m, minuta dhe orë).
  • Ndalesh pas hapit të parë kur pyetja kërkon dy llogaritje.
  • Përdor emëruesin e gabuar në përqindje.
  • Lexon vetëm titullin e grafikut dhe jo boshtet.
  • Përgjigjesh nga njohuritë e tua dhe jo nga të dhënat në tekst.
  • Ngatërron lidhjen me shkakun: dy gjëra që rriten bashkë nuk do të thotë se njëra shkakton tjetrën.
  • Dorëzohesh kur situata duket e panjohur, edhe pse matematika është e thjeshtë.

Plan i thjeshtë praktike

  • Çdo javë: një detyrë e shkurtër me tabelë ose grafik.
  • Çdo dy javë: një detyrë leximi ku krahason dy tekste ose dy burime.
  • Çdo muaj: një test i përzier 45–60 minutësh me kohë.
  • Pas çdo testi: lexo shpjegimet dhe shëno llojin e gabimit (lexim, njësi, llogaritje, grafik).

Materiale për praktikë

Praktiko në eTesti: 5 sete PISA (matematikë, lexim, shkencë, të dhëna dhe një mini test) me shpjegim për çdo pyetje. Fillo praktikën PISA

Shënim: ushtrimet në eTesti janë origjinale, në stilin PISA. Nuk janë pyetje zyrtare të OECD/PISA.